09/11/2014

RËNIA E MURIT TË BERLINIT : SUKSES APO MJERIM ?*


Miti i ekonomisë gjermane





Punuar nga Ylli Përmeti




Faza 25 vjeçare e zhvillimit të Gjermanisë Lindore nga modeli zhvillimor i Gjermanisë Perëndimore, me rënien e murit të Berlinit, tashmë ka marrë, falë globalizmit neoliberal, goditjen përfundimtare: sepse kohezioni ekonomik midis dy gjermanive kurrë nuk mund të realizohet për sa kohë që në Gjermaninë Lindore, pas rënies së murit, mësymën korporatat dhe bankat e Gjermanisë Perëndimore blenë pasuritë publike në çmim të lirë dhe tashmë gjënden në stanjacion. Për mos të folur këtu për “kohezionin” midis anëtarëve të BE/Eurozonës. Sepse tashmë, jo vetëm që papunësia është më e lartë në Gjermaninë Lindore,[1] dhe metropolet e Gjermanisë Perëndimore po mbipopullohen nga ardhjet lindore, korporatat e sukseshme të saj, siç do të shohim këtu, lënë Gjermaninë dhe shkojnë në tregje më fitim-prurës. Kështu, megjithëse Merkel arriti si fillim dhe bindi disi Gjykatën Kushtetuese Gjermane për përdorimin e eurobondeve dhe kjo e fundit më vonë vendoi se përdorimi i eurobondeve është i paligjshëm  dhe, ia delegoi vendimin përfundimtar Gjykatës Europiane të Drejtësisë (GJED), për të kundruar rreth programit “Outright Monetary Transactions/OMT” (një zhvillim që nënkupton se ndërsa Gjykata Kushtetuese Gjermane/GJKGJ njeh supremacinë e GJED-së, Gjermania humbet një pjesë të mirë të sovranitetin të saj),[2] nën justifikimin se Gjermania vjel dobitë e nevojshme për tregun e saj, ajo do të ndeshet, pa asnjë dyshim, me hiper-inflacionin e radhës, nëse përdoren eurobondet. Dhe kjo, jo sepse Merkel e di paraprakisht rezultatin e vendimeve të saj, pavarësisht se sjell shembuj të vrapimeve maratonomake në ligjëratat e saj, kur aludon se di paraprakisht fundin[3] e veprimeve, por sepse, ajo dhe gjithë politikanët e tjerë të kësaj bote, kanë mungesë kognitive të politikave monetare, efektet e saj, ciklet, qorrsokakët, zhvillimin dhe dështimet e politikave ekonomike përgjatë historisë ekonomike etj.
Kështu, ndërsa politika monetare në kuadër të eurozonës nuk mund të ketë efektin dhe karakterin e politikës monetare të bankës qendrore amerikane, si pasojë e krizës në BE, shumë ndërmarrje-korporata gjermane kërkojnë të largohen nga Gjermania: BASF, prodhuesi gjerman më i madh në botë i kimikateve kërkon të largohet nga Gjermania, sepse rritja ekonomike në BE pritet të bierë dhe kushtet investuese janë më tërheqëse në vende të tjerë. Kështu, ndërsa qeveria gjermane shqetësohet për këto largime, BASF kërkon të shkojë të investojë në veri të SHBA-së më shumë se 1 miliard euro për të shfrytëzuar revolucionin e rreshpeve i cili ka çuar në çmime më të ulët gazi se në Gjermani.[4] Dhe kjo, sepse me çmime më të ulëta gazi ajo ka mundësi të shesë më shumë në tregun ndërkombëtar të marketingut. Gjithashtu, RWE, ndërmarrja e pajisjeve, e dyta më e madhe e Gjermanisë në fitime, pret të shkurtojë shpenzimet nga 4.5 miliard në rreth 2 miliard euro në vit deri në vitin 2016, ose në “nivelin e mirëmbajtjes” siç e quan ajo. Eon, ndërmarrja më e madhe Gjermane në pajisje është duke reduktuar investime në vend dhe është duke u përqendruar jashtë vendit, për shembull, në Brazil dhe Turqi.

Si pasojë, pjesëmarrja e formimit bruto i kapitalit të palëvizshëm (gross fixed capital formation) në prodhimin e përgjithshëm të vendit është thjesht 17 për qind, mjaft poshtë mesatares prej 21 për qind të vendeve të industrializuara. Kjo akumulon probleme afat-gjatë për Gjermaninë: një popullatë në plakje ose duhet të rrisë prodhimin e saj ose të përballet me një rënie të standarteve jetësore meqënse fëmijët e kohës së lulëzimit në plakje shkaktojnë tkurrjen e fuqisë punëtore. Si një përqindje të PBB-së, investimet korporative në makineri dhe pajisje kanë rënë që nga viti 2011 dhe vazhdojnë të qendrojnë poshtë kulmit të para-krizës. Me fitime të larta dhe në kosto hua-marrjeje në një, thuajse rekord të ulët, ndërmarrjet Gjermane kanë filluar të grumbullojnë dafrungën e teknologjisë transatlantike, duke pasuar një periudhë kur marrëveshjet Gjermane ishin relativisht të shurdhuara. Siemens pranoi të paguante 7.6 miliard dollarë për Dresser-Rand për të ndërtuar një hapësirë më të fuqishme në pajisje për industrinë e naftës dhe gazit në SHBA. Një tjetër ndërmarrje gjermane, SAP, tha se do të paguajë 8.3 miliard dollarë për Concur, grupi i programeve software për shpenzimet e udhëtimit të SHBA-së. ZF Friedrichshafen pranoi të fitojë pjesë automobilistike nga furnitori TRW për 11.7 miliard dollarë dhe Infineon, grupi i gjysmëpërçuesit Gjerman, planifikon të blejë International Rectifier për 3 miliard dollarë.[5] Dhe si këto ndërmarrje janë me dhjetra (BMW etj.).
Kësisoj, Merkel dhe ekonomia Gjermane gjendet përballë greminës dhe shkëmbit, pavarësisht kamuflimit të mirë të krizës gjermane, d.m.th ajo thjesht gjendet në situatën ku luan njëherësh me durimin e periferive dhe të popullit gjerman (klasës së mesme dhe nënklasës). Për më shumë, ndërsa në vitin 2012 Ministrat e Eurozonës miratuan “Marrëveshjen Fiskale” (Fiscal Compact), i cili hyri në fuqi në Janar të vitit 2013 mbi vendet që e kanë nënshkruar, që lidhet kryesisht me stabilizmin e borxheve të qeverive, ngaqë kriza në Eurozonë po thellohet, atje përflitet për ‘bashkim fiskal’ (fiscal union) duke përfshirë shpëtime bankare, ‘bashkim bankar’ (banking union) etj., me mbikqyrje bankare që buron nga Frankfurti.[6] Ndërkohë, për vitin 2013, plani Franko-Gjerman, propozoi ‘rezolutën e bordit të vetëm duke përfshirë autoritetin e rezolutës kombëtare’.[7]
Por këto propozime dhe miratime janë sa të pamundur aq edhe naivë; dhe janë të pamundur sepse Merkel do të vazhdojë të mos taksojë korporatat[8] nëse kërkon investime në vend. Kjo do të thotë se buxheti i qeverisë gjermane do të jetë deficitar ose në rënie; dhe naivë sepse asnjë instrument tregtar nuk garanton efiçencë dhe përgjegjshmëri në një bashkim fiskal me ekonomi të pabarabarta, përtej implikimeve të tjerë.
Më së fundmi, ndërsa taksapaguesit europianë kanë paguar që nga fillimi i krizës së fundit, 2008, më shumë se 1,600 bilion euro për të shpëtur bankat e dështuara, ministrat e financave të BE-së, ranë në ujdi në fund të qershorit të vitit 2013, për të imponuar humbjet e së ardhmes edhe mbi kreditorët, duke ruajtur, sigurisht, disa masa kombëtare (national discretion), siç është “shtetëzimi” i bankave nën disa kushte.[9] Qëllimi është, gjoja, të ndajnë barrën midis qytetarëve dhe bankierëve. Pa u çuditur, duke filluar nga viti 2018, regjimi i ashtuquajtur “bail-in”, ose “shpëtim nga brenda”,[10] mund të detyrojë aksionerët, zotëruesit e obligacioneve dhe disa depozitorë për të kontribuar në koston e përgjithshme të kapitullimit të bankave. Depozitat e siguruara nën 100,000 euro përjashtohen dhe depozitave të pasiguruara të individëve dhe ndërmarrjeve të vogla u jepet një status preferencial në renditjen e “shpëtimit nga brenda”. Ky ligj, menjëherë sa të miratohet në Bruksel, konsiderohet nga “eurostrumbullarët” si hapi i parë për “bashkim bankar” (“banking union”), meqënse i njëjti ligj aplikohet mbi të gjithë anëtarët. Kështu 8% e totalit të saldos pasive të bankave të dështuara —si fillim aksionerët, më pas mbajtësit e rinj të bondeve, dhe pastaj depozitat e pasiguruara (mbi 100,000 euro) duhet efektivisht të fshihen përpara se të përdoren fonde publike.[11]
Vështirësia tjetër në këtë marrëveshje ishte përcaktimi i bankave “sistemike”, d.m.th. se si, ndoshta dhe se kur, do të konsiderohet një bankë “sistemike”. Por, eurostrumbullarët edhe për këtë gjetën një pikë të përbashkët: ata ranë në ujdi se kapitalizimi i bankave duhet të mbulohet nga shumë burime, siç është ndihma bankare prej 1,3% —që do të jetë edhe burimi buxhetor i shtetit për çdo konsolidim/shtetëzim bankar. Kjo ndihmë do të furnizojë një arkë likujdimi, siç quhet, e cila, do të mund, me rradhë, të furnizojë me kapitale bankat problematike, të cilat nuk do të tejkalojnë 5% të saldos pasive. Mbështetja nga çdo lloj burimi tjetër presupozohet se duhet të miratohet nga Brukseli.[12] Përnjimend, eurostrumbullarët krijuan një mekanizëm shtrëngues për bankat, por, ata kurrë nuk do të arrijnë të frenojnë manipulimet bankare dhe përqedrimin e sektorit bankar në pak duar. Në fakt, nëse gjykojmë nga sasia e kursimeve të depozitorëve, që janë për pjesën më të madhe të popullatës, minimale, dhe në rënie, kjo masë do të godasë klasën e mesme, atë klasë që përcakton edhe fatin e elitave,[13]por edhe çdolloj kursimi tjetër.
Në anën tjetër, sipas një parashikimi,[14] ekonomia gjermane do të ketë rritje mesatare vjetore ekonomike deri në vitin 2060 rreth 1.1 për qind: sa mundësi do të ketë Gjermania, rrjedhimisht, me një rritje ekonomike të ulët dhe korporata në largim të ndihmojë njëherësh periferitë dhe popullin gjerman, që sipas një studimi tjetër,[15] sistemi social gjerman do të jetë në krizë nëse nuk merren masa konkrete, siç është taksimi i të pasurve, kur dihet se çdo parashikim varet vendimtarisht nga aftësia e konkurrencës në nivel global, taksat respektive dhe çmimi i naftës dhe, siç dihet, parashikimet zakonisht janë pa baza të shëndosha shkencore?!

  • Dimensioni i ‘pasivizimit’ politik

Një dimension tjetër negativ i unionit është pasivizimi i rajonit, politikisht, ekonomikisht, demokratikisht etj. Kështu, përnjimend, Gjermania gjeneron dobi maksimale nga formimi i Unionit, por ajo në kohë pasivizon ekonomitë dhe politikat e rajonit, të cilat jo vetëm që nuk i zhvillojnë dot strukturat ekonomike me qëllim që të konkurrojnë, sikurse globalizmi neoliberal imponon, me tregun ndërkombëtar të marketingut, por të dështojnë, sikurse kanë dështuar në politikën fiskale buxhetet etj. Kjo dukuri vrojtohet edhe në qeverinë qendrore të një vendi në lidhje me bashkitë rajonale: e para bllokon rritjen ekonomike të bashkive sepse bashkiakët kanë të njëjtin qëllim kur ngjiten në detyrë si qendrorët: pasurimin dhe jo zhvillimin e strukturave ekonomike publike, gjithashtu dhe zhvillimin e demokracisë, kur në vend dominon kapitali privat – dhe bashkitë nuk kanë mundësi të zhvillojnë ekonominë sepse në vend mbizotërojnë katër liritë e FMN-së (në Shqipëri janë themeluar për momentin dy liri: liria e kapitalit dhe liria e mallrave, por jo liria e punës dhe e shërbimeve. Kjo për arsye se vendeve të pasura nuk u interesojnë njerëz të pakualifikuar dhe bllokojnë me çdo mënyrë lëvizjen e lirë të punës dhe shërbimeve drejt vendeve të tyre. Ndërkohë, lëvizja e burokratëve drejt vendeve të vogla është themeluar!). Kjo politikë i bën vendet e vogla që të ndërmarrin masa kundër-produktive: shkurtim të rrogave, pensioneve – politikat e kursimeve dhe shkurtimin punëtorëve në sektorin publik, duke shkaktuar papunësi, privatizime masive, tensione sociale etj.
Ndërkohë, investimet në infrastrukturë që u imponohen vendeve të rajonit, që gjenden brenda kuadrit të Unionit, janë me një kosto më të lartë, sepse një praktikë e tillë krijon një shkallë më tepër në lëvrimin e paráve, meqë investimet varen nga parátë, d.m.th nga Banka Qendrore Europiane, te Bankat Qendrore Kombëtare, dhe këto të fundit fryjnë tregun përmes bankave të nivelit të dytë, të cilat do të mundohen të nxisin konsumin me kredi dhe interes të ulët dhe pa asnjë objektivizim konkret të ekonomisë vendore, ose objektiv social, siç është autonomia politike, ekonomike dhe sociale rajonale, megjithëse ekziston skenari i nxjerrjes jashtë loje i bankave qendrore kombëtare me qëllim që të dominojnë bankat private. Kështu, BQE jo vetëm që krijon kushtet për një rreth vicioz, por në kuadrin ekonomik që gjenden vendet e integruara në tregun ndërkombëtar të marketingut, ajo në kohë i shkatërron ato më shumë. Ky është një tjetër faktor që euro-sistemi mbart në esencë kundër-prodhim dhe varfërim të mëtejshëm të periferive dhe gjysmë-periferive. Por, le të ekzaminojmë në më shumë detaje se përse nuk përdoret mjeti i fundit (last resort) nga Banka Qendrore Europiane (BQE) dhe çfarë mbart ajo në brendësinë e saj?

  • Lindja e grupit të Frankfurtit, borxhet e unionit dhe perandoria e bankave

Bota e mijëvjeçarit të tretë gjendet përpara një rrethi vicioz, por me përmasa shumë më të mëdha se e kaluara, sepse pushteti politik – dikur i popullit – përherë dhe më shumë përqendrohet te dëshira e mirë e elitës mbikombëtare, të cilës politikanët vendorë i krehin bishtin dhe e fërkojnë si njeriu macen; dhe ndërsa macja e ngre më shumë bishtin —nga fërkimi, ashtu edhe elita mbikombëtare ngre pushtetin e saj! Siç citon, dhe jo pa arsye, gazeta britanike The Guardian, tetë Psaltët (Acolytes) e Elitës Mbikombëtare dhe Kapitaliste:
Dhe, ja, se si operojnë gjërat. Vendimet reale në Europë merren tashmë nga grupi i Frankfurtit, një klikë e formuar nga tetë njerëz: Lagarde; Merkel; Sarkozy; Mario Draghi, presidenti i ri i BQE; José Manuel Barroso, president i Komisionit Europian; Jean-Claude Juncker, kryetar i Eurogrupit; Herman van Rompuy, president i Këshillit Europian; dhe Olli Rehn, komisioneri i ekonomisë për çështjet monetare Europiane. Ky grup i cili nuk është përgjegjës tek asnjëri [por veç te politikat neoliberale, siç ravijëzohen nga drejtorët e korporatave dhe bankave] kontrollon situatën në Europë. Kjo klikë vendon se, nëse Greqia duhet të lejohet që të mbajë një referendum dhe nëse dhe kur Athina duhet të marrë thelën (tranche) e rradhës për shpëtimin e saj në pará të thata. Se çfarë e shqetëson këtë grup është ajo se çfarë mendon tregu financiar dhe jo se çfarë mund të dëshirojnë votuesit. Sa i përket qeverive, se nëse kanë ndonjë pushtet, ai është i zhvendosur dhe vendosur në duart e Komisionit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe FMN-së. Është sikur sahati demokratik të ishte kthyer pas në ditët kur Franca ishte e sunduar nga Burbonët![16]  
Megjithëse grupi i Frankfurtit, që u quajt së fundmi nga Ministri i Jashtëm finlandez, Erkki Tuomioja, se atje janë “katër gangsterë”, duke përfshirë këtu edhe presidentin e Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, dhe se ‘tek ata nuk duhet të besohet’ – dhe se Finlanda po përgatitet të dalë nga Eurozona, duke vlerësuar se ‘ose Jugu ose Veriu do të largohet sepse kjo vjedhje monetare po shkakton mizerje për miliona [njerëz] dhe po shkatërron të ardhmen e Europës’,[17] tashmë ndeshet me pengesa të mëdha brenda Unionit, p.sh.,:
Borxhet e hatashme të vendeve anëtarë [të unionit], sidomos ajo e Italisë, e cila ka një borxh prej më shumë se €2 trilionë, me një debit prej 120% të PBB-së, që ka për prirje të shkaktojë më shumë kaos sesa Greqia. Ky kaos shtrihet edhe më tej: BNP, Banka më e madhe e Francës mbart një ekspozim shumë të madh të bondeve italiane, prej €25 bilion krahasuar me një sasi prej vetëm €5 bilion Greqisë, sipas shifrave që u lançuan nga Autoriteti i Bankave Europiane përgjatë kësaj vere [2012]. Credit Agricole është gjithashtu në të keq me vetëm €0,7 bilion kundrejt Greqisë. Société Générale e cila këto ditë e ngriti borxhin me €330 milionë kundrejt Greqisë, dhe ka një ekspozim prej €3.4 bilion kundrejt Romës. Bankat Gjermane janë gjithashtu blerës të borxhit Italian. Commerzbank ka €10 bilion në Itali, krahasuar me €3 bilion Greqisë, ndërsa Deutsche Bank ka €5.3 bilion Italisë krahasuar me €1.5 bilion Greqisë.[18] 
Por, nëse krahasojmë SHBA-në dhe BE-në, në nivelin e aseteve që zotërojnë bankat, atje është një ortek tjetër. Siç theksonMartin Wolf në Financial Times:
Në 2010 bankat e SHBA-së kishin asete prej 8.6 trilion euro, por të BE-së ishin 42.9 trilionë. Në SHBA asetet e bankave ishin afër 80 % të prodhimit të përgjithshëm bruto. Në BE ato ishin 350 %. Gjysma e 30 bankave më të mëdha i kanë zyrat qendrore në BE. Nëse BE bën një rrëmujë në sektorin bankar, ajo mund të shpërthejë ekonominë botërore. Shkurt, ndërsa bankat individuale të SHBA-së mund të jenë “shumë të mëdha për të dështuar”, BE-ja ka një sektor bankar që nuk është vetëm shumë i madh për të dështuar, por shumë i madh për t’u shpëtuar.[19]
Pasi Wolf-i analizon masat e propozuara nga komiteti i “ekspertëve”, që udhëhiqet nga Erkki Liikanen, guvernatori i Bankës Qendrore të Finlandës, për gardhimin e sektorit bankar, arrin në përfundimin se tashmë është shumë vonë.
Ky sektor, herët a vonë, do të shpërthejë. Ndërsa ky është një dimension; tjetri është se pushteti ekonomik i bankave në Europë është i pa precendentë. Kjo është arsyeja që një nga gazetat më të mëdha në Greqi, Eleftherotypia, pasi sulmoi me vend vendosjen e kryeministrit të ri Papadhimos,[20] bllokohet nga Alpha Bank përmes kredi-dhënies për ta mbyllur, sepse aty shkruante filozofi politik, Takis Fotopoulos, dhe kritikat dhe rrugë-zgjidhjet e tij, duket, se janë të padëshirueshme nga “demokracitë” post-moderne! Kryeministri Papadhimos, meqë është anëtar i mbledhjeve të “Bilderberg” (Komisionit Tri-palësh: pronarë të vendeve Europiane, Amerikës Veriore dhe Japonisë si fillim – që u transformua grupi i Azisë më vonë!)  mori bekimin e tetëshes së Frankfurtit. Siç citon dhe dekonspiron me vend Takis Fotopoulos lidhur me “qethjen” e borxhit Grek:
Duke ditur se tregjet kanë zhvlerësuar paraprakisht më shumë se gjysmën e vlerës së bondeve greke që i kanë nën pronësinë e tyre… dhuruan të njëjtën “qethje” të borxhit, duke ditur që kishin marrë garanci absolute për vlerën tjetër të bondeve të rinj që do t’i këmbejnë me të vjetrit![21]
Kjo do të thotë se bankat dhe korporatat do të bëjnë ç’mos që të ruajnë pushtetin dhe gjendjen aktuale. Do të thotë gjithashtu se Gjermania është lojtare mjaft i rëndësishme e Unionit dhe në skakierën globale ndoshta më e rëndësishme se vetë Amerika. Vullneti politik para pushtetit ekonomik që zotërojnë bankat është zero. Dhe se sa mundësia kanë bankat që të ruajnë gjendjen e aseteve që pronësojnë sot, është një tjetër çështje që do ta tregojë Historia.

  • Përse qeveritë janë zhytur në borxhe?

*Ky studim eshte shkeputur nga studim me i gjere i cili mund te lexohet ketu: http://www.phronetic-democracy.org/demokraci-apo-barbarizem/

[1] Për shembull, nga vitet 1990-2012 numri i personave, që punojnë, ka rënë nga 11,2 milionë në 10,1 milionë. Në perëndim numri ka mbetur i qëndrueshëm. Deri në vitin 2030 në lindje numri të personave të aftë për punë do të bjerë përsëri me shifra milionëshe. Suksesi i bashkimit të Gjermanisë nuk është ende i plotë, DW, 08, 11, 2014.
[2] German court refers ECB bond-buying programme to European justice, FT reporters, February 7, 2014.
[3] Sipas ligjëratës së saj mbajtur së fundmi.
[4] German companies look overseas as home opportunities fade, FT, October 12, 2014.
[5] Po aty.
[6] Angela Merkel vows to create ‘fiscal union’ across eurozone, The Guardian, 2 December 2011.
[7] Franco-German challenge to eurozone bank rescue plan, Financial Times, May 31, 2013
[8] Shih për më shumë në vazhdim pushtetin e korporatave në Gjermani.
[9] EU reaches deal on failed banks, Financial Times, June 27, 2013.
[10] Shih për më shumë, Ylli Përmeti, “Sekreti” i financës globale dhe koncepti i ri i shpëtimit të bankave.
[11] Eurozone crisis: Bank rescue rules agreed, as EU Summit begins, The Guardian, 27 June 2013.
[12] Το «κούρεμα» καταθέσεων τώρα και πανευρωπαϊκό, Ελευθεροτυπία, Παρασκευή 28 Ιουνίου 2013.
[13] Shih për më shumë rreth ‘klasave’, Ylli Përmeti, Kushtetuta e globalizmit neoliberal.
[14] Germany is strong, but not nearly strong enough, Financial Times, August 11, 2013.
[15] Sistemi social i Gjermanisë para kolapsit? DW, 16.08.2013. Pothuajse gjysma e buxhetit gjerman për këtë vit, rreth 145 miliardë euro, shkon për sigurimet shoqërore, mbështetjen e familjeve dhe të të rinjve si dhe për punësimin. Shoqata e Përgjithshme e Shoqatave Humanitare vlerëson se në të ardhmen kjo shumë nuk do të jetë e mjaftueshme. Në të ardhmen do të nevojiten edhe 35 miliardë shtesë për vit. Sipas studimit të nevojshme janë shtimi i ndihmës sociale nga 382 euro në 464 euro në muaj, fondet për banesat sociale dhe për përkujdesjen e të moshuarve dhe invalidëve. Partia Socialdemokrate dhe Partia e Gjelbër kanë llogaritur se nëse do të futet një taksë për pasurinë, nëse do të rritet taksa për trashëgiminë dhe do të taksohen edhe transaksionet e bursave, shteti mund të mbledhë miliarda të ardhura shtesë. Po ashtu nëse do të luftohet evazioni fiskal, që sipas OECD-së në Gjermani shkon deri në 168 miliardë euro, atëhere shuma e taksave që mbledh shteti do të jetë edhe më e madhe.
[16] Shih, The emergence of the Frankfurt Group has turned back the democratic clock, The Guardian, 8 November 2011.
[17]  Eurozone crisis live: Finland preparing for euro breakup, The Guardian, 17 August 2012.
[18] Eurozone Debt crisis: Berlusconi loses majority in Italian parliament, The Guardian, 8 November 2011.
[19] Liikanen is at least a step forward for EU banks, Martin Wolf, Financial Times, October 4, 2012.
[20] Ο μάνατζερ της κυβερνώσας ελίτ, Ελευθεροτυπία, 11 Νοεμβρίου 2011.
[21] Οι απατεώνες των ελίτ και η ανάγκη για παλλαϊκό μέτωπο, ΤΑΚΗ ΦΩΤΟΠΟΥΛΟΥEleftherotypia.

No comments:

Post a Comment